Në Teatrin e Pejës nesër jepet premiera e shfaqjes për fëmijë “Universi ynë”

33686748_169807100357882_6043180639451086848_n

 

Në Teatrin e qytetit “Istref Begolli”, nesër me fillim në ora 14:00 jepet premiera e shfaqjes për fëmijë “Universi Ynë”, me tekst dhe regji të Fitore Broqit dhe Shpresa Salihaj – Kelmendi.

Në këtë shfaqje do të luajnë aktorët profesionit të Teatrit, Luan Daci, Flormend Shabaj, Fitore Broqi dhe Shpresa Salihaj – Kelmendi.

Kjo e fundit, në një intervistë ekskluzive për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, tha se realizimi i kësaj shfaqje u ka marrë mjaftë kohë, sepse siç tha ajo, shfaqjet e tilla për fëmijë kërkojnë angazhim dhe profesionalizëm maksimal.

 “Realizimi i kësaj shfaqje na ka marrë mjaftë kohë. Të punosh shfaqje për fëmijë është ndjenja më e mirë pothuajse për çdo aktor teatri. S’ka dyshim se shfaqjet e tilla kërkojnë angazhim dhe profesionalizëm maksimal sepse të gjitha shfaqjet për fëmijë, kanë mesazhe edukativo-arsimore dhe se të gjitha temat duhet të trajtohen në formën më të mirë të mundshme”, tha aktorja dhe regjisorja pejane, Shpresa Salihaj, duke shtuar se shfaqja është dedikuar për parashkollorët dhe nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

“Shfaqja është dedikuar për parashkollorët dhe për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Por kjo nuk do të thotë që fëmijët e klasave të tjera nuk mund ti bashkohen teatrit dhe ta shohin këtë shfaqje. Shfaqja është shumë e mirë, atraktive dhe mbi të gjithash ka mesazhe të forta të cilat mund të ndikojnë pozitivisht edhe tek të rriturit sepse bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve dhe edukimin e tyre për një të ardhme më të mirë”, u shpreh aktorja dhe regjisorja, Shpresa Salihaj –Kelmendi, duke i ftuar të gjithë fëmijët që ti bashkohen kësaj shfaqje dhe që bashkërisht ta festojnë 1 qershorin.

Krejt për fund, vlen të theksohet se për ndriçimin e shfaqjes “Universi ynë” është përkujdesur mjeshtri i madh, Ali Thaçi. /Zarfi Info/

 

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.